“Njerëzit s’ushqehen me dëngla morale”- Mustafa Nano flet për Albin Kurtin dhe VV: Pse kosovarët do zhgënjehen nga qeverisja e tij

0
41

Analisti Mustafa Nano ka komentuar zhvillimet e fundit në Kosovë dhe aleancat mes LDK-së dhe Vetëvendosjes në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Në një intervistë për TVT, Mustafa Nano ka vlerësuar qëndrimin e Isa Mustafës për t’i hapur rrugën gjeneratës së re dhe për të mos u përfshirë në listën e deputetëve.

Ndërkohë që me tone kritike ka folur për rolin e Albin Kurtit, teksa thekson se kosovarët kanë për të mbetur të zhgënjyer prej qeverisjes së tij.

“Unë po ngutem që tani, megjithatë, për të parathënë se në fund të këtyre katër viteve, kosovarët kanë për të mbetur të zhgënjyer. Sepse Albin Kurti ka krijuar pritmëri të mëdha, që i kapërcejnë mundësitë e tij e të Kosovës. Përveç kësaj, qeverisja e një vendi nuk bëhet me retorikë patriotike. Njerëzit nuk mund të ushqehen me dëngla morale, e as me renegatë e tradhëtarë, të cilët në Vetëvendosje i prodhojnë me shumicë”, thekson Mustafa Nano.

Në lidhje me zgjedhjet e 14 shkurtit në Kosovë, janë bërë zyrtare listat e kandidatëve për deputetë. Lëvizja Vetëvendosja ka përfshirë emra të rinj, ndërsa mungon emri i kryetarit Isa Mustafa. Si i vlerësoni ju vendimet e Vetëvendosjes dhe LDK-së? 

Mustafa Nano: Fakti që Isa Mustafa është tërhequr për t’u hapur rrugën gjeneratave të reja është një gjë shumë e mirë. Gjithnjë, nëse këtë gjest të tijin mund ta përkthejmë kështu. Sepse nëse Isa Mustafa nuk bëhet deputet, por në të njëjtën kohë qëndron në krye të partisë, për të diktuar nga jashtë zhvillime që ndodhin brenda Parlamentit, atëherë nuk do të kishte as kuptim e as vlerë zgjedhja që ai ka bërë. Por unë e marr si një gjest për t’u hapur rrugën gjeneratave të reja. Dhe është për t’u përshëndetur.

Ndërsa në lidhje me Vetëvendosjen, duket se ata do të jenë në pushtet, dhe unë jam kureshtar të shoh Albin Kurtin dhe grupin e tij për katër vite të plota në krye të punëve të Kosovës. Unë po ngutem që tani, megjithatë, për të parathënë se në fund të këtyre katër viteve, kosovarët kanë për të mbetur të zhgënjyer. Sepse Albin Kurti ka krijuar pritmëri të mëdha, që i kapërcejnë mundësitë e tij e të Kosovës.

Përveç kësaj, qeverisja e një vendi nuk bëhet me retorikë patriotike. Njerëzit nuk mund të ushqehen me dëngla morale, e as me renegatë e tradhëtarë, të cilët në Vetëvendosje i prodhojnë me shumicë. Shkurt, Albin Kurti do të lërë trashëgim (ose do të vijojë të drejtojë) në vitin 2025 të njëjtën Kosovë që njohim. Për këtë nuk kam asnjë dyshim. Realitete si Kosova duan shumë kohë të ndryshojnë.© Panorama.al

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here