Risi në zgjedhje/ Alizoti në Berat dhe Bardhi në Elbasan, dy figura të pasprovuara

0
12

MARIGLEN KUME/ Anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike, Tomorr Alizoti, është caktuar nga kryedemokrati Lulzim Basha si drejtues politik në qarkun e Beratit.

Alizoti në Berat dhe numri dy i PD-së Gazment Bardhi, i cili është caktuar në qarkun e Elbasanit, janë dy nga figurat e reja të PDsë që testohen për herë të parë si drejtues politik në zgjedhje. Në përzgjedhjen e kryesisë së re të PD-së, Alizoti rezultoi si anëtari i kryesisë më i votuar nga këshilli kombëtar i të djathtëve. Nëse u referohemi zgjedhjeve të 2017-ës, qarku i beratit mund të konsiderohet si një bastion i majtë.

Në zgjedhjet e parafundit Partia Socialiste fitoi 4 mandate, Lëvizja Socialiste për integrim 2 mandate dhe PD vetëm një mandat. Në këto kushte, sfida e parë e Alizotit pritet të jetë e vështirë për të siguruar një rezultat më të mirë. Por kush është Tomorr Alizoti? Drejtuesi politik i PD-së në qarkun e beratit ka mbaruar studimet e larta për gjermanistikë dhe më tej për sociologji në vitin 2006 në Manhaim në Gjermani. Në vitin 2007 ka kryer kolegjin diplomatik të Berlinit.

Ai ka shërbyer më parë si diplomat, ku ka ushtruar detyrën e Sekretarit të Parë për 4 vite në Ambasadën e Shqipërisë në kryeqytetin gjerman. Ai vjen nga një familje e njohur me traditë patriotike që u persekutua ashpër nga regjimi diktatorial. Alizoti mund të konsiderohet si një prurje e kryedemokratit Basha. Alizoti e ka nisur karrierën politike në kohën kur kryedemokrati Basha ishte kryetar Bashkie në kryeqytet. Gjatë periudhës 2014-2015, Tomor Alizoti ka mbajtur postin e këshilltarit në Bashkinë e Tiranës. Më vonë, në vitin 2016 kreu i selisë blu, Lulzim Basha, i ka besuar departamentin e të përndjekurve politikë në selinë blu e ndërsa më vonë edhe me votën e këshillit kombëtar u bë pjesë e kryesisë së PD.

QARQET PA DREJTUES

Më herët kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, caktoi drejtues të qarkut në Dibër Xhelal Mziun, ish-kryetarin e Bashkisë Kamzë për tri mandate. Bashkë me dy emrat që u caktuan dje janë bërë 9 qarqe që kanë tashmë drejtuesit politikë dhe vijojnë fushatën për zgjedhjet e 25 prillit. I pari që u caktua nga kryetari i PD-së ishte Bujar Leskaj në Vlorë, ish-kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit. Në qarkun e Fierit, edhe ky një bastion i majtë, është caktuar Enkelejd Alibeaj. Ndërkohë, në Durrës ku konsiderohet një qark me peshë të madhe elektorale, kryedemokrati Basha ka vendosur nënkryetarin e Partisë, Edi Palokën. Në Shkodër Helidon Bushati; në Elbasan, edhe ky një qark me peshë elektorale, i është besuar numrit dy të PD-së, Gazment Bardhit. Nënkryetari tjetër i PD-së, Edmond Spaho, është caktuar drejtues politik në Korçë. Tani kanë mbetur për t’u vendosur drejtuesit politikë në qarkun e Kuksit, Gjirokastrës dhe në kryeqytet, ku pritet të ketë 6 emra.

© Panorama.al

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here