Vidhen të gjallë e të vdekur, vijojnë skandalet në spitale e në morg/ Familjarët denoncuan vjedhjen e parave të një pacienti në COVID 1 dhe…

0
45

Pas sanitares Tire Alldervishi që punonte në spitalin COVID 2, e cila zhvati nga paratë vajzën e një pacienteje me koronavirus, emisioni “Stop” në “Tv Klan” solli edhe një tjetër rast abuzimi.

Bëhet fjalë për një skandal në sistemin shëndetësor, kësaj radhe në Spitalin Infektiv ose në spitalin COVID 1. Një qytetar, djali i një 58-vjeçari, ka denoncuar se babait të tij, i cili ishte i shtruar në spitalin COVID 1 pasi ishte infektuar me koronavirus, i kanë vjedhur paratë që kishte në portofol.

Ndërkohë, një rast i ngjashëm u denoncua edhe në emisionin tjetër investigativ “Fiks Fare” në “Top Channel”, ku një viktime nga COVID-19 i kanë vjedhur një pajisje oksigjeni me vlerë 5 mijë euro. Ferit Kasa, 70-vjeçar, ndërroi jetë në datën 1 shtator 2020 në Spitalin “Shefqet Ndroqi”, Tiranë.

Gjatë kohës që ishte shtruar, personeli mjekësor i kërkoi familjarëve një pajisje për frymëmarrjen. Familja mori me qira 150 euro në muaj një pajisje B PAP dhe e çoi te Sanatoriumi. Por, pasi 70-vjeçari ndërroi jetë, kjo pajisje është zhdukur. Sanatoriumi shkruan në dokumente se e ka dorëzuar te Morgu i Tiranës. Kjo e fundit, i ka kthyer sendet personale familjarëve, por pa pajisjen e oksigjenit që kushton plot 5000 euro. Këto ishin rastet më të fundit që u denoncuan në media, siç duket duke u nxitur nga rasti i Tires. Megjithatë, nuk janë të vetmet.

Edhe më herët, familjarë pacientësh apo viktimash të COVID-19, kanë denoncuar vjedhjen e sendeve personale në spitale apo në morg. Ndërsa nga ana e Policisë dhe Prokurorisë nuk ka pasur asnjë njoftim zyrtar apo qoftë edhe ndonjë reagim në lidhje me rastet e publikuara në media, për të sqaruar nëse po kryhen apo jo hetime, qoftë edhe kryesisht. Përveç denoncimeve publike, në televizione, ka pasur edhe denoncime direkt në Polici nga familjarët e viktimave.

Një rast i tillë është regjistruar në Komisariatin nr.4, ku bashkëshortja e shefit të Antidrogës, Florian Pema, që ndërroi jetë në nëntor nga COVID19, denoncoi në Polici humbjen e sendeve me vlerë të të shoqit. Ajo ka kërkuar ndihmën e kolegëve të Florianit, që sendet e tij personale të gjenden e t’i kthehen për t’u ruajtur si një kujtim i çmuar. Në deklarimet e dhëna para oficerëve të Policisë, Valbona Pema ka treguar se pasi mori rrobat e të shoqit nga morgu, në xhepa mungonte portofoli, i cili kishte rrogën, dokumentet personale të identifikimit dhe disa fotografi.

kontrata e qirase

DENONCIMI PER COVID 1

Mbrëmjen e së martës, emisioni “Stop” denoncoi një skandal në sistemin shëndetësor, në Spitalin Infektiv ose në spitalin COVID 1, ku një qytetar, djali i një 58-vjeçari, ka denoncuar se babait të tij, i cili ishte i shtruar aty, i kanë vjedhur paratë që kishte në portofol. Sipas denoncimit të tij, babai iu shtrua në spital më 22 dhjetor 2020 dhe humbi jetën më 27 dhjetor 2020. Djali thotë se para se të shtronte të atin në spital, i kishte dhënë portofolin me 202 mijë lekë të vjetër, brenda të cilit ndodhej edhe karta e bankomatit së bashku me kodin “pin”. Por, dy ditë përpara se babai të humbiste jetën, denoncuesi tregon se nga bankmati ishin tërhequr para me kartën e bankës që kishte lënë në portofolin e të atit. Bëhet fjalë për datën 25 dhjetor, kohë që përkon me ditën kur babai i denoncuesit ishte futur në intubim pasi gjendja e tij shëndetësore ishte përkeqësuar. Dy ditë pas këtij veprimi, më 27 dhjetor babai i tij ndërroi jetë për shkak të COVID-19. Punonjësit e spitalit COVID 2 i kthyen denoncuesit sendet personale të babait. Ai vuri re se brenda portofolit mungonin 200 mijë lekë të vjetër, por kishin mbetur vetëm 2 mijë lekë të vjetër. Edhe karta e bankës së bashku me shënimin për kodin “pin” mungonte. Djali thotë se ka vënë në dijeni edhe infermieren, me të cilën fliste për shëndetin e të atit, por ajo ka refuzuar ta denoncojë këtë akt.

dokumenti i dorezuar ne morg nga sanatoriumi

DENONCIMI PER MORGUN

Edhe “Fiks Fare” denoncoi një skandal në shëndetësi mbrëmjen e së martës, ku një viktime nga COVID-19 i kanë vjedhur një pajisje oksigjeni me vlerë 5 mijë euro. Në redaksinë e emisionit investigativ u ankua vajza e të ndjerit, Ferit Kasa, Silvana Kasa. Ajo tha se në fillim të muajit gusht 2020, babai i saj u prek nga virusi COVID-19. Pasi u mjekua fillimisht në Librazhd, ku dhe banojnë, Ferit Kasa u transferua në spitalin “Shefqet Ndroqi”, pasi kishte probleme shëndetësore. Disa ditë pasi u shtrua te Sanatoriumi, personeli shëndetësor u tha familjarëve se duhet të sillnin një pajisje për frymëmarrje me oksigjen, pasi spitali në atë kohë nuk e kishte. Familjarët i drejtohen një biznesi privat dhe marrin me qira një pajisje “B PAP”, me një vlerë prej 150 euro në muaj. Këtë pajisje e dërgojnë në Spitalin “Shefqet Ndroqi”. Disa ditë më pas, Ferit Kasa ndërron jetë si pasojë e komplikacioneve të COVID-19. Trupi i të ndjerit transportohet në Morgun e Tiranës, pranë QSUT-së, së bashku me sendet personale. Pajisja u dorëzua në Morg, por nuk doli prej andej.© Panorama.al

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here