Ministria e Jashtme ruse ka reaguar pas vendimit të Tiranës Zyrtare që e dëboi diplomatin rus Alexey Krivosheev, i cili mban postin e sekretarit të dytë të Ambasadës ruse në Tiranë.
Përmes një njoftimi për mediat, Ministria e Jashtme shqiptare bëri me dije të enjten se diplomati rus që prej prillit thyente në mënyrë permanente masat e marra nga shteti shqiptar kundër virusit.
“Moska shpreh keqardhjen për vendimin për dëbimin e diplomatit rus nga Tirana“, i tha agjencisë ruse të lajmeve “RIA Novosti” zëvendës Ministri i Jashtëm rus Aleksandër Grushko.
“Ky është një provokim i qartë që synon përkeqësimin e marrëdhënieve ruso-shqiptare dhe, natyrisht, ky hap jo miqësor nuk do të mbetet pa përgjigje,” komentoi Grushko për “Ria”.
“Kjo është hera e parë që një diplomat rus përjashtohet në këtë vit të ri. Në vitin 2020, hapa të tillë u ndërmorën në Bullgari, Hollandë, Austri, Sllovaki dhe Republikën Çeke, ku më shpesh kishte akuza për spiunazh. Moska reagoi njësoj”, shkruan më tej artikulli.© Panorama.al