Gjykata e Lartë kalon për gjykim dosjen ndaj ish-ministrit Saimir Tahiri

0
44

Gjykata e Lartë ka kaluar për gjykim dosjen penale ndaj ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, dhe ish-drejtorit të Policisë së Vlorës, Jaeld Çela.

Vendimi është marrë ditën e djeshme në dhomën e këshillimit në Gjykatën e Lartë.

Ish-ministri është dënuar nga Krimet e Rënda për “Shpërdorim detyre” me 3 vite shërbim prove.

Me 3 vite e 4 muaj burg u dënua Jaeld Çela. Të dy u akuzuan për trafik droge në kuadër të grupit kriminal të drejtuar nga Moisi Habilaj.

Apeli i Posaçëm e prishi vendimin dhe e ktheu për rigjykim në Shkallën e Parë. Tahiri e Çela iu drejtuan Gjykatës së Lartë me rekurs.

Procesi nuk dihet ende kur do të nisë, pasi çështja në fjalë kërkon 5 gjyqtarë për t’u shqyrtuar, ndërkohë që Gjykata e Lartë funksionon me vetëm 3 gjyqtarë.

ÇFARË VENDOSI APELI NDAJ TAHIRIT

Gjykata e Posaçme e Apelit është shprehur në vendim se nuk mund të jepte një vendim dënimi ndaj ish-ministrit të Brendshëm, ndërkohë që nuk ishte bërë asnjë hetim për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”, për të cilën Shkalla e Parë e dënoi atë.

“Ky kolegj vlerësoi të pabazuar shkakun e pretenduar nga Saimir Tahiri dhe mbrojtësi i tij. Ky kolegj çmoi se vendimi i marrë nga gjyqtari i hetimeve paraprake të Katanias në Itali nuk plotëson kushtet për t’u cilësuar përfundimtar në respektim të nenit 34 të Kushtetutës së Shqipërisë”, thuhet në vendimin e Apelit.© Panorama.al

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here