Një ekspert italian do të zbulojë pse u dogj makina e biznesmenit italian në Shqipëri, nuk përjashtohet mundësia që Davide Pecorelli…

0
75

Për të zbardhur shkakun e rënies së zjarrit në automjetin që përdorej nga biznesmeni italian Davide Pecorelli, do të asistojë edhe një ekspert piroteknik italian.

Davide Pecorelli

Kjo është vendosur gjatë takimit të zhvilluar dy ditë më parë në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Pukë, ku, krahas hetuesve shqiptarë, ishin të pranishëm dhe katër hetues italianë, të cilët u njohën me provat dhe hetimet e deritanishme në lidhje me zjarrin në makinë dhe zhdukjen misterioze të biznesmenit italian, Davide Pecorelli.

Nga zbardhja e tabulateve telefonike si dhe marrja në pyetje e familjarëve dhe e miqve të shtetasit italian, nuk ka asnjë dyshim që mund të krijojë bindjen te hetuesit për të vijuar te pista e vrasjes.

Nga tërësia e veprimeve hetimore nuk përjashtohet mundësia që Davide Pecorelli të ketë humbur kontaktet vullnetarisht me familjarët apo të jetë vetëvrarë, por pa përjashtuar edhe vrasjen për shkak të ndonjë grabitje të mundshme, duke iu referuar dhe faktit se vendi ku u gjet makina e djegur është zonë e pabanuar dhe në aksin rrugor në fjalë ka shumë pak lëvizje.

Ndërsa, për sa i përket pistës së lëndëve narkotike apo dhe pastrimit të parave, nuk ka asnjë provë që e implikojnë biznesmenin italian në këto veprimtari. Ndërkohë, ditën e hënë, Policia dhe Prokuroria do të përcjellin me anë të një letërporosie drejt Prokurorisë së Perugia në Itali analizat e mbetjeve kockore apo trupore të ADN-së të bërë në Shqipëri për t’i krahasuar me ato të vëllait të Davide Pecorellit, Antonio Pecorelli dhe më pas do të jepet përgjigjja përfundimtare, a janë apo jo këto mbetje të gjetura në makinën e djegur të Davide Pecorellit.

Pasi të jepet përgjigjja e ADNsë, do të jetë Prokuroria e Perugias, e cila do të shpallë të vdekur 45-vjeçarin italian. Davide Pecorelli rezulton i zhdukur që prej 6 janarit të këtij viti, teksa kishte udhëtuar me automjetin e marrë me qira drejt Pukës. E.H© Panorama.al

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here