Analiza/Prof. Dr. Isuf Kalo: Pandemia, bluzat e bardha dhe dy shembuj frymëzues

0
49

Nga Prof. Dr. Isuf Kalo*

“Ra ky mort e u pamë” Ky titull i librit të Ismail Kadares, botuar në vitin 2000, dhe pse me subjekt e kontekst tjetër tingëllon aktual edhe sot në “mortin e pandemisë së Koronavirusit”.

Të gjitha vendet e botës (përfshi edhe ato të zhvilluara) kur u pushtuan nga pandemia e Covid-19 vërejtën të habitur se sistemet shëndetësore të tyre kishin mangësira të ndjeshme. Rëndësia e pesha e shëndetësisë me ndikime të njohura multisektoriale, jo vetëm për mbrojtjen dhe forcimin e shëndetit por dhe të mirëqenies ekonomike, sociale e të popullatës ishte nënvlerësuar.

Ishin haruar dy fjalët e mençura të ish kryeministrit të Anglisë Benjamin Disraeli, i cili që në vitin 1868 pati paralajmëruar se “Shëndeti i mirë i popullatës është faktor vendimtar për mirëqenien dhe prosperitetin e çdo vendi”. Për fat të keq në shumicën e vendeve të globit, sidomos ato më të varfëra, potencialet shëndet-prodhuese e jetë-shpëtuese të shëndetësisë dhe meritat e profesionistëve bluzë-bardhë nuk ishin besuar. Vetëm Mikail Gorbaçovi pranoi se fundi me pendesë: “Kjo pandemi dëshmoi se të gjitha shpenzimet për forcat ushtarake dhe armët për mbrotjen nuk na mbrojtën dot”. Vendet e botës nuk patën parashikuar të pushtoheshin aq lehtë tragjikisht nga një agresor që nuk e kap as plumbi as raketa.

Një rreze drite

Sidoqoftë “ky mort ra” por solli kudo për shëndetësinë edhe diçka ogurmire. Stafi mjekësor u pa me sy tjetër. Si nga qeveritarët dhe nga popullata. Falë përkushtimit vetëmohues të tyre në përballje të drejtpërdrejt me virusin bluzat e bardha fituan respekt dhe admirim. U harruan pakënaqësitë, ndonjë mallkim e procedim gjyqësor, deri dhe dhuna në raste të izoluara me apo pa shkak ndaj tyre. Si asnjëherë më parë atyre ju kërkua ndjesë, madje edhe për keq-shpërblimin ne raport me meritat e vyera të harruara. Ata u shpallën plot elozhe heronj sepse në këtë përballje rrezikuan shëndetin e vetes. Mandje një numër i dhimshëm i tyre dhanë tragjikisht edhe jetën.

Realisht ata nuk u bënë heronj më së pari në këtë pandemi. E patën dëshmuar heroizmin, shumë kohë më parë, që ditën kur secili prej tyre zgjodhi bluzën e bardhë, duke ofruar vullnetarisht me guxim jetën e tyre personale e mirëqenien familjare në shërbim të shëndetit të popullatës. Ata hynë të ndërgjegjshëm në këtë profesion me plot rreziqe të brefasishme, përfshi atë të humbjes së jetës: nga infeksionet, nga rrezatimi radiologjik e nuklear, nga reaksionet prej barnave, nga stresi e lodhja e raskapitëse, në punë e deri dhuna fizike apo ajo verbale prej të sëmurëve mendor apo familjarëve të pakënaqur. Jo rastësisht në librin “Mjekët”, Erik Segali dëshmon se mjekët e kanë mesataren e jetëgjatësisë më të shkurtër se sa ajo e bashkëmoshatarëve të tyre në profesione të tjera.

Pritshmeritë dhe limitet e mjekësisë

Bashkë me falenderimet që marrin nga të sëmurët, personelit mjekësor i ndodh që të jetë edhe viktimë e paragjykimeve, i keqinfomimeve dhe pasigurisë për rezultatet e pritshme. Sepse mjekësia është shkencë në evolucion të pandërprerë por ende jo shkencë ekzakte. Në veprimtarinë e bluzave të bardha ndodh jo rrallë që edhe “kur bëhet ajo që duhet, ashtu siç duhet” mund të mos përftohet rrezultati pozitiv i hamendësuar. Veçanërisht ndaj sëmundjeve afatgjata kronike çelsi i suksesit final nuk është aq në dorën e tyre, se sa tek vetë pacientët; i rigorozitetit me të cilët ata i zbatojnë apo jo në kushtet e shtëpisë masat dhe terapinë që u janë rekomanduar. Fuqizimimi i bashkëveprimit të pacientëve dhe qytetarëve si aktorë qendror të sistemit, dhe transpareca e hapur ndaj tyre për limitet e mundësive të shkencës dhe të praktikës mjekësore në raport me rrezultatet e dëshiruara është thelbësore.

Dr. Mark Chasin bazuar në etikën mjekësore ju garanton të sëmurëve vetëm ndershmërinë profesionale për të cilën ata janë betuar. “Në rast gabimesh apo dështimesh të pavullnetshme -thotë ai- mjafton që kujdesi ndaj të sëmurëve të kenë qenë qëllim mirë, i dhënë me ndershmëri e me zemër të pastër”. Ndershmëria, dijet dhe aftësitë profesionale janë shtyllat e besimit të qytetarëve ndaj tyre. Ky besim është i shenjtë. Prandaj nuk duhet shpërdoruar në asnjë rrethanë nga askush prej tyre. Kontigjentet e bluzave të bardha në shekuj e kanë respektuar atë me rigorizitet. Ndonjë pikë e izoluar e zezë e rënë aty këtu mbi detin e dobive, që prodhon mjekësia nuk ja ka nxirrë dot të bardhën e madhe të saj.

Koha për njohje dhe afrim

Stafi mjekësor duhet të hedhë i pari hapat e njohjes dhe mirëkuptimit me të sëmurët dhe qytetarët. Jo vetëm për problemet në trupin e tyre, por edhe ato shpirtërore e jetësore. U duhet të njohin mendimet, brengat, kushtet e stilin e jetës, traditat, psikologjinë dhe parimet etike të secilit. Dhe çfarë ata ndjejnë, dyshojnë, çfarë i tremb apo shpresojnë në procesin e mjekimit.

Shtrirja e mjekësisë përtej shkencave biologjike edhe në ato sociale, ekonomike e psikologjike, mundëson njohjen shumë dimensionale të pacientëve si individë çka mundëson një qasje të re terapeutike të personalizuar ndaj tyre. Ajo mund të duhet të jetë e ndryshme tek pacientët që vuajnë me të njëjtën diagnozë. Një personalizim përzgjedhës të tillë po dëshmon me “inteligjencë djallëzore ” koronavirusi. Tek personat që ai infekton, sëmundja ndonse e njëjtë si diagnozë nuk ka të njëjtën tabllo as evolucion, Tek disa zhvillohet pa simptoma ,ngadalë dhe e lehtë, kurse tek të tjerë tepë r e rëndë me shpërthime të befta galopante deri dhe me humbje të jetës. Ta ketë kuptuar vallë ai përpara nesh personalizimin e viktimave si faktor për performancën infektuese të tij?

Dy shembuj frymëzues
Pretendimet për një model të ri të personelit mjekësor, me tipare humane mund që të duken utopike. Por për fat të mirë që dy shekuj më parë dhe deri në vitin që shkoi janë dëshmuar së paku dy shembuj të tillë të suksesshëm frymëzues. Njëri në vitin 1819 në Spanjë dhe tjetri në vitin 2020 në SHBA.Ky I fundit në përballje me koronavirusin. I pari i bazuar në një histori reale të memorizur në një tabllo nga piktori Francisco Goja ka ndodhur si më poshtë:

Në vitin 1819 në moshën 72 vjeçare i ve, i vetmuar e i shurdhët piktori Francisco Goja u sëmur rëndë. . Ishte në prag të vdekjes kur u shtrua në spital thuajse i pa shpresë. Pesimizmin ja shtonin eksperiencat e trishta që kishte patur në spitalet ku pati qenë shtruar më parë.Ato i patën lënë piktorit mbresa të zymta.

Spitalet e aso kohe shërbenin më së shumti si strehë për të vdekur. Ato u ngritën së pari falë filantropis të aristokracisë dhe të Kishës si “Hospise” (hotele), si azile afat shkurtër për të sëmurët e vobektë, pa familje, që ata të mos jepnin shpirt rrugëve të vetmuar.,
Kushtet higjieno-sanitare në to ishin të mjerueshme, por varfanjakët iknin nga kjo botë me murgeshat pranë, me shpirt të qetë dhe besim për një jetë më të mirë në botën tjetër. Hospiset nuk ishin të denja për monarkët e aristokracinë , të cilët mjekoheshin në kështjellat e vilat madhështore të tyre nga mjekë të famshëm të vendit apo edhe të huaj të sjellë posaçërisht për ata.

Francisko Goja zemërak i përhershëm i pati denoncuar realitetet tragjike sociale e shëndetësore të asaj kohe: mizore, të padrejta hipokrite dhe primitive. Mes tyre nuk pati kursyer edhe mjekësinë dhe as mjekët . Ai i pati cilësuar ata “të paaftë, jo mirë të trajnuar dhe të pashpirt”. Në një tabllo të tij të vitit 1797 me titull: “Nga cila sëmundje do të vdes ai?”e pati shpërfytyruar figurën e mjekut në formë karikature si një gomar që po i mat pulsin një të sëmuri në shtrat me thundrën e këmbës së përparshme. Përgjigja e tij ndaj titullit të asaj tablloje ishte “Ai do vdes, jo nga sëmundja por nga mjeku”. Mungesa e respektit dhe e mirënjohjes së tij ndaj mjekëve qe e pafund.

Por dy dekada më pas në vitin 1819 Goja, tashmë në fund të jetes në gjendje shëndetësore të pashpresë ja dorëzoi edhe njëherë jetën një mjeku. Ky quhej Eugenio Garcio Arrieta. Këtë herë për habinë e piktorit gjithçka rrodhi ndryshe. Ai pa e ndjeu tek mjeku i tij virtute dhe vlera profesionale e shpirtërore, që ose sëmundjet e më përparshme, ose zemërimi i akumulur i dikurshëm nuk e kishin lejuar ti pikaste. Piktori krijoi për të respekt dhe admirim. Dhe çuditërisht këtë herë sëmundja edhe pse ishte më e rëndë u mposht. Piktori i moshuar ndjeu adhurim për Dr. Arrietën i cili i qëndroi tek koka me përkushtim të pashoq. I frymëzuar me ndjenjat dhe përjetimet e kujdesjeve që përftoi nga Dr. Arrieta, një vit më pas më 1820 Francisko Goja krijoi për dhuratë në shenjë falenderimi ndaj mjekut tabllonë me titull: “Autoportret me Dr. Arrietën”. Në dedikimin shkroi: “Goja me mirënjohje mikut tim Dr. Arrieta, për pasionin, kompetencën dhe kujdesin me të cilin ai më shpëtoi jetën nga një sëmundje e rëndë dhe e rrezikshme”.

Gjuha e ngjyrave
Tablloja u bë shpejt e famshme. Përtej vlerave artistike ajo u shndërrua në model të relacioneve humane shpirtërore mes pacientëve dhe mjekëve. Rëndësia e relacioneve të tilla për shumë kohë nuk u konsiderua si pjesë e domosdoshme e protokolleve të mjekimit. Në to fetishizohen ende barnat, sidomos ato të reja dhe aparaturat e teknologjive moderne diagnostike dhe terapeutike.

Në “Autoportret me Dr. Arietën” Goja ilustron artin e mjekimit në mënyrën se si e pati perceptuar dhe ndjerë ai vetë si pacient. Vëmendja që ai i ka kushtuar, detajeve përçka ka parë, dëgjuar, përjetuar e memorizuar në ambientin spitalor është impresionuese. Edhe një vit pas asaj eksperience, ai ka mundur të shprehë me “gjuhën e ngjyrave” vlerësimet për personelin shëndetësor që i pati shërbyer. Duket që i pati ruajtur në kujtesë hollësisht xhestet, shikimin e mimikën e mjekut të tij.

Dr. Arrieta është pikturuar me trup gjysëm i përkulur, i përqëndruar dhe i përkushtuar tek pacienti. Të dy janë me veshje , të pa pispillosur. Dr. Arrieta duket që mban në njërën dorë një gotë (me shumë gjasa me një ilaç të lëngshëm), që ja afron pacientit tek goja. Kjo është detyrë infermierore, por mjeku me modesti po e bën këtë akt miqësisht me dorën e tij . Nuk dihet nëse ka ndodhur vërtet ky akt, apo piktori e ka krijuar vet kinse a këtë detaj për të idealizuar lidhjen shpirtërore mes tyre si dhe modestinë e përkushtimin që pacientët vlerësojnë aq shumë tek mjekët. Dr. Arrieta e ka mbështjellë pacientin në krahët e tij Duken te dy si të shkrirë fizikisht dhe shpirtërisht në një. Sfondi pas tyre është i zi (Ngjyra e vdekjes?), por në fytyrën e mjekut shquhet një fasho e brishtë drite (Shpresa që ende ai ruan?). Tablloja rrezaton përkushtimin vetëmohues të mjekut ndaj pacientit të tij, të cilin e mban shtrënguar në krahë si fëminë e tij, për të mos ja dorëzuar vdekjes.Edhe pse Dr. Arrieta është pikturuar jo si “Tarzan” muskuloz dhe vetë Goja si ” i mbaruar” tablloja krijon besimin, se falë aleancës mes mjekut dhe të sëmurit, kundra vdekjes ata do triumfojnë. Dhe ndodhi vërtetë. Francisco Goja jetoi dhe e pikturoi edhe 8 vite të tjera më pas.

Një foto që flet
Historia e tabllosë “Autoportret me Dr. Arrieta” sikur u përsërit dy shekuj më pas në Nëntor 2020 në SHBA, e përcjellë me një foto brenda një spitali në të cilën stafi mjekësor po përballej me pademinë e Coronavirusit. Ajo u bë virale në rrjetet sociale me shpejtësi të jashtë zakonshme.

Ajo ishte shkrepur rastësisht nga dikush brenda pavionit me të sëmurë të prekur nga Covid-19 nën terapi intensive në gjendje të rëndë. Në të duket profesori amerikan Jozef Varon, specialist për sëmundjet infektive dhe shef i urgjencës mjekësore dhe reanimacioni, në gjoksin e të cilit ishte mbështetur koka e një pacienti të moshuar që po qante. Profesor Varon është mjek i shquar, i njohur edhe përtej mureve të spitalit Universitar United Memorial të Texasit, ku shtrohen edhe të sëmurë të varfër dhe emigantë, dhe madje përtej SHBA si autor i shumë artikujve kërkimor-shkencor, i një sërë monografish dhe teksteve universitare mjekësore. Ai njihet sidomos edhe si bashkautor i sindromit “Varon-Ayus” me anomalira genetike e hormonale.

Historia e asaj fotografie, e cila përloti botën është e thjeshtë. Profesori ishte duke hyrë si çdo ditë në pavionin ku ishin të shtruar të sëmurët në gjendje të rëndë, të infektuar me Koronavirus nën terapi intensive, kur papritur njëri nga pacientët, burrë i moshuar, thinjosh qe ngritur nga shtrati dhe i doli atij befas përpara. Profesori nuk e shmangu. U ndal për ta dëgjuar. Por pacienti nuk po shqiptonte asnjë fjalë. Ai kishte zhytur kokën në gjoksin e mjekut dhe qante me dënesë. Profesori u befasua. Por nuk e largoi nga vetja. Qëndruan disa çaste heshturazi ashtu të përqafuar të dy. I moshuari që qante dhe profesori që e mbante të shtrënguar ngrohtësisht në gjoksin e tij.

Ashtu dhe janë fotografuar: mjeku me veshjen mbrojtëse nga koronavirusi si prej “astronauti” dhe pacienti i moshuar me kokën tek gjoksi i tij. Duken të dy si të njohur të hershëm, apo të afërt në një takim të përmallshëm. Në fakt deri në çast ishin të panjohur mes tyre. Po për mjekun kjo nuk kishte rëndësi. Rëndësi kishte që ai i sëmurë vuante një brengë, një dhimbje të madhe të cilën po ja shprehte në mënyrë të pazakontë me shpresë e besim për ndihmë. I moshuari ishte shtruar disa ditë më parë në atë pavion dhe mjekohej për Covid-19 por ishte ende i infektuar pozitiv me korona virusin. Ai me kokën e zhytur në gjoksin e profesorit qante pa i kërkuar atij asgjë.

I befasuar dhe i prekur profesor Varon e tregoi më pas vetë me emocion ngjarjen – “Ishte një burrë rreth 70 vjeç. Po qante si fëmi. Pa thënë asgjë. E pyeta çfarë kishte. ‘Më mungojnë të afërmit –më tha- familja. Dua të kem gruan pranë’”. Këto pati shqiptuar i moshuari mes ngashërimit. Ndofta kishte frikë se do vdiste pa i parë e pa u lënë lamtumirën bashkëshortes dhe të dashurve të tij.

Njëherësh i lakmuar dhe i mallkuar
E tillë është historia e kësaj fotografie. Nuk dihet nëse atë brengë ai thinjosh ja kishte shprehur edhe mjekut që e vizitonte çdo ditë. Apo infermiereve që kujdeseshin për të. A e kishin shënuar vallë ato atë dëshirë në kartelën mjekësore të tij. Apo ai ishte ndrojtur tua shprehte tek i shihte aq të zënë, të tensionuar, të raskapitur në përballje me vdekjen apo edhe tu rridhnin nga dramat që përjetonin edhe lotë në sy?!

Profesori si rrallë herë u ndje i pafuqishëm. Thinjoshit “fëmi” i mungonin çka ai nuk kishte në dorë që tja jepte: ambienti i shtëpisë, familja, prezenca, dashuria e ngrohtësia shpirtërore e njerëzve më të afërt të tij. Në cilindo spital ato mungojnë për këdo. U mungojnë edhe vetë mjekëve dhe infermierëve, që kalojnë aty një pjesë të madhe të jetës. Sepse spitalet janë tempuj magjik për të shpëtuar e zgjatur jetë. Por jo ambiente për të jetuar në to. Sado mirë të pajisur, të pastër e të rehatshëm të jenë. Ato nuk janë shtëpia. Dhe stafi me bluzë e zemër të bardhë sado miqësor të jenë, nuk janë familja. Barnat që përdoren aty mund që lehtësojnë vuajtjet e mposhtin sëmundjen, por nuk zëvendësojnë dot inkurajimin buzëqeshjen, dorën në sup a mbi ballë nga të afërmit e tyre.

Ato pacientëve u duhen veçanërisht në çaste pasigurie, vetmie, frike e paniku për jetën. Atëherë kur sëmundja dhe ambienti spitalor krijojnë stres,e ndjenjë pasigurie. Tek ndonjëri madje edhe një shtysë marroke të mistershme që i nxit të hidhen nga dritarja apo ballkoni i spitalit për tu vetëvrarë. Por sot kur bota është përfshirë në përballjen me pandeminë e Covid-19 spitalet edhe pse jo gjithmonë të lakmuar nga të sëmurët, janë bërë për ata jetë-shpëtues e më të vyer se çdo herë.

I moshuari , që dëneste në gjoksin e Profesor Varonit, nuk e dinte që edhe profesori në krye të ekipit që drejtonte, kishte 226 ditë me rradhë që po qëndronte në atë spital pa vajtur në shtëpi. Pa parë gruan e fëmijët e tij. Kishte po aq ditë që flinte vetëm 1 deri 2 orë në ditë, duke qëndruar me vetëmohim në punë në përballje me virusin vrastar. Dhe infermierët e personeli tjetër ishin po aq të raskapitur e të stresuar, sepse nuk përballonin dot të gjithë kërkesat e lutjet e pacientëve dhe pikëllimin kur njëri nga të sëmurët e intubuar u jepte në duar shpirt.Të njëjtat sakrifica e vështirësi përballojnë, në rrethana e fronte të tjera të gjithë profesionistët e mjekësisë në veprimtarinë e përditëshme, e veçanërisht në këtë pandemi. Mjekët e spitaleve Covid Mjekë t eFamiljes në qendrat e kujdesit parësor, të cilët ekspozohen të parët në kontaktet me qytetarët e pacientët, ata të laboratorëve që testojnë për virusin, infemiert që zbatojnë terapinë, ata që vaksinojnë, radiologët, fizioterapistët, etj…

Me shikim nga e ardhmja
Pandemia e koronavirusit sado që të zgjasë do të kalojë. Ajo ka dhënë që tani mësime për sistemet shëndetësore. Bashkëjetesa e njerëzimit me viruse të tjerë të ngjashëm do të jetë e përhershme. Sistemet shëndetësore duhen forcuar që të mund të parandalojnë pandemi të tilla eventuale në të ardhmen dhe të jenë të parapërgatitura. OBSH në vitin 2008 rekomandoi rikonceptimin e tyre si sisteme “gjithë qeveritare” dhe “gjithë shoqërore”, pra jo vetëm i një ministrie, por edhe me kontribute nga ministritë e tjera me impakt në shëndetin e populatës . Paraja duhet të shkojë me përparësi tek ato struktura apo veprimtari të provuara ,që prodhojnë për popullatën më shumë shëndet ,me kosto të ulët dhe që prandalojnë ose minimizojnë me efektivitet sëmundjet. Një hap llogjik në këtë drejtim tek ne ,do të ishte fuqizimi prioritar i Institutit tonë të Shëndetit Publik (ISHP), i cili përgjatë dekadash ka kryer shërbime shëndetësore me rëndësi kombëtare. Vlerat e dobitë e tij u dëshmuan qartas edhe në pandeminë që po përjetojmë.

Pandemia e Covid-19 evidentoi mangësi shqetësuese edhe në kulturën shëndetësore e higjieno-sanitare tek kontigjente të gjera të popullatave, madje dhe në vende të zhvilluara. Ato u shprehën me hezitime, mos bindje ,deri me kundërvënie ndaj masave të thjeshta për vetëmbrojtjen individuale nga infektimi me virusin dhe për mos përhapjen e tij, apo dhe gjatë vaksinimit. Bluzat e bardha e respektojnë lirinë e cdo individi. Por nuk janë pronarë, as protektorë të shëndetit të askujt ndër ta. Janë vetëm këshilltarë dhe mbështetës të çdo njërit. Zgjedhjet për “më shumë vite në jetë, apo më shumë jetë në vite” janë e drejtë e seicilit individ. Kurse mbrojtja e shëndetit publik dhe e të tjerëve është detyrë e kujtdo nga ne.

Nga deklamacionet në institucionalizim
Cfarë do të ndodhë me bluzat e bardha pasi kjo pandemi do të kalojë? Do fashitet si flakë kashte me të edhe ky flladi i vlerësimit dhe mirënjohjes njerëzore për ta? Po të ndodhte do të ishte zhgënjim. Ata kolegë që dhanë edhe jetën në përballje me pandeminë do të lëviznin të zemëruar në varre. Por do zhgënjeheshin edhe ata të mbetur gjallë përballë virusit në spitalet Covid, apo ambulatorisht në shtëpitë e pacientëve të infektuar, që e sfiduan me vetëmohim virusin. Po ashtu familjarët që vuajtën bashkë me ta. “Nuk më interesojnë as shenjtëria, as heroizmi” -thotë Dr. Bernart Rieje në librin “Murtaja” të Alber Kamy. I ndodhur larg familjes në përballje me murtajën .ai e mësoi vdekjen e së shoqes vetëm 8 ditë më pas.”Ajo që fitohet në këtë mynxyrë është kujtesa” -shton ai.Në kuptimin që ajo nuk duhet haruar

Bluzat e bardha nuk punojnë për dekorata. As për ca para. Por kujtesa e përballjes së sotme me pandeminë duhet ruajtur. Ajo shërben ,që të mësojë, edukojë dhe frymëzojë brezat e ardhshëm. Vlerësimet ndaj atyre që u martirizuan dhe cilitdo që sfiduan rreziqet në këtë mision humanist, nuk duhen të mbeten verbale e mediatike. Ato duhen formalizuar sipas kritereve etike që u takojnë.

Gjetkë nderimi për mjekët është institucionalizuar. Në SHBA më 1990 me dekret të ish presidentit George Bush, 30 Marsi i çdo viti u shpall “Ditë Kombëtare e Mjekëve”, dhe ditë pushimi për të gjithë vendin. Në Indi “Dita e Mjekut” festohet më 1 Qershor. Kurse veçmas mjekët e Familjes kanë “Ditën Botërore” në datën 19 Maj. Në to nderohen figura të shquara ose ngjarje të shënura të mjekësisë së vendit. A vlen ta zbatojmë këtë edhe në vendin tonë?Tagrin e vendimit e kanë autoritet shtetërore. Por propozimet për datën, mirë është të jenë të hapura për mjekët dhe qytetarët tanë. Një kandidaturë e spikatur ,sipas meje është Prof. Dr. Rifat Frashëri, mikrobiolog e virolog i shquar bashkëautor me kolegë të Institutit Paster në Paris i disa zbulimeve të rëndësishme për shëndetësinë botërore në fushën e virologjisë dhe të vaksinave, sidomos kundra epidemive të Lisë dhe të Tërbimit. Ai në Kongresin e Lushnjes më 23 Janar 1920 u emërua në krye të Drejtorisë së Përgjithshme të Shëndetësisë Shqiptare (pararendëse kjo e një ministrie të mirëfilltë). Ai njihet si shkencëtar dhe akademik me emër në Evropë, në Universitetet Turke e Franceze. Ishte patriot i shquar, mik dhe i afërt me vëllezërit Frashëri. Vdiq në Shqipëri më 15 Nëntor 1934. Do ta ketë vallë Shqipëria mundësinë e një dite nderimi për mjekët më 15 Nëntor?

*Anëtar themelues i Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencave.
Ish drejtues në OBSH – Evropë për “Cilësinë e Sistemeve Shëndetësore”.

© Panorama.al

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here