Fatmir Mediu dhe Alfred Rrushaj të infektuar, Covid-19 mban ‘peng’ paktin e koalicioneve mes PD e aleatëve

0
47

MARIGLEN KUME/ Teksa na ndajnë edhe 20 ditë nga data kur koalicionet duhet të regjistrohen në KQZ si subjekte zgjedhore, PD ende nuk ka mbyllur marrëveshjet me të gjithë aleatët.

Por duket se shkak nuk është bërë mungesa e vullnetit të kryedemokratit dhe aleatëve të tij, por Covid-19. Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, ka mandatuar Gazment Bardhin, Edi Palokën dhe Alfred Rrushajn që të negociojnë çështjet teknike me aleatët, por mësohet se infektimit nga virusi nuk i ka shpëtuar z. Rrushaj dhe aleati Mediu, të cilët tashmë janë drejt rikuperimit të plotë.

Deri tani marrëveshja është mbyllur me Agron Dukën, Nard Ndokën dhe Dashamir Shehin. Ndërsa mbetet ende pa u mbyllur marrëveshja me aleatin tradicional të PD-së, Fatmir Mediun dhe kreun PBDNJ-së Vangjel Dule.

Ndërkohë, kryetari i Partisë Drejtësi Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi, sipas burimeve, mësohet se ka dakordësuar që të kandidojë si pjesë e listës së PD-së në kryeqytet. Por burimet bëjnë me dije se palët kanë qenë në diskutime për vendin që do të zërë znj. Mesila Doda në qarkun e Fierit. Ndërkohë, gjasat janë që ditën e sotme të ketë edhe një takim mes kryedemokratit Basha dhe Shpëtim Idrizit.

Më herët ky i fundit në diskutimet që ka pasur me grupin negociator të sipërpërmendur ka dorëzuar rezultatet e PDIU-së në zgjedhjet e mëhershme dhe ka kërkuar që hapësira e PDIUsë në listë të jetë në bazë të rezultateve të mëparshme. Në 2017-ën PDIU prodhoi 3 mandate.

Dy në qytetin e Elbasanit me Aqif Rakipin dhe Bujar Muçën dhe në Dibër me Rreme Lalën. Ndërkohë, në Tiranë vetë z. Idrizi nuk arriti të fitojë mandatin për pak vota, për shkak se nuk kaloi pragun natyral, duke qenë se në 2017-ën nuk pati koalicione.

MARRËVESHJA ME PBDNJ (VANGJEL DULEN)

Marrëveshja e koalicionit nuk është mbyllur ende edhe me kryetarin e PBDNJ-së, Vangjel Dulen. Sipas burimeve të gazetës “Panorama”, Dule ka pasur një takim ditën e djeshme me kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, rreth mesditës, por palët nuk kanë konkluduar në një marrëveshje definitive.

Për kreun e PBDNJ-së diskutimet janë që ai të jetë ose në listën e PD-së si pjesë e koalicionit në qarkun e Korçës ose në qarkun e Vlorës. Më herët Dule është zgjedhur deputet në Jug të vendit, por këtë herë për shkak se koalicioni i djathtë ka në përbërje edhe partinë çame PDIU dhe atë të PBDHNJ, grupi negociator po bën përllogaritjet në mënyrë që të mos ketë përplasje mes elektoratit.

MARRËVESHJA ME PR (FATMIR MEDIUN)

Ndonëse konsiderohet si aleati tradicional i së djathtës, deri tani nuk ka ende një marrëveshje mes kryetarit të PR-së, Fatmir Mediu dhe kryedemokratit Lulzim Basha.

Sipas burimeve, negociatat mes PR-së dhe grupit negociator të caktuar nga kryetari i PD-së janë ndërprerë prej 10 ditësh. Më herët edhe kryetari i PR-së, Fatmir Mediu, i ka dorëzuar grupit negociator rezultatet në zgjedhjet e viteve më parë, duke synuar që njësoj si PDIU, hapësira për kandidatët e PR-së të caktohet në bazë të peshës specifike.

Sipas burimeve të gazetës “Panorama”, diskutimet janë për të qenë në listë kryetari i PR-së Fatmir Mediu dhe nënkryetari Blendi Sulaj.

Ajo që po përllogaritet është se në cilin qark do të shpërndahen kandidatët dhe pozicioni në listë.

© Panorama.a

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here