Basha rikthen Eduard Halimin në PD si koordinator politik. Ja detyrat që do të ketë

0
45

MARIGLEN KUME/ Eduard Halimi rikthehet në Partinë Demokratike pas një shkëputjeje trevjeçare nga jeta politike aktive. Ishdeputeti i PD-së ka pranuar ftesën e kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, për të qenë koordinator i posaçëm politik në 12 qarqe.

Ish-ministri i Drejtësisë do të bëjë koordinimin politik të drejtuesve të PD-së në 12 qarqet. Ndërkohë, Halimi vetë, përmes një postimi në “Facebook”, ka sqaruar se përse pranoi të riangazhohej në PD, edhe pa qenë pjesë e listës për deputet. Përveç riorganizimit të tij në politik, në postimin e djeshëm ishdeputeti fton edhe të tjerët që të bashkohen në selinë blu për të arritur fitoren.

“Unë e pranova kërkesën e Lulzim Bashës për t’u caktuar si ‘Koordinator i posaçëm politik i kryetarit të PDSH për 12 qarqet, në zgjedhjet e vitit 2021’. Kurrë nuk do hezitoja të ndihmoja mikun tim Lulzim Basha, ashtu si kurrë nuk kam hezituar të ndihmoj dhe si anëtar i thjeshtë familjen tonë politike, gjatë gjithë jetës sime. Kur thirresh për të shërbyer, askush nuk ka të drejtë të mos pranojë t’i shërbejë familjes politike. Të shërbesh, për çdo anëtar të së djathtës politike, është detyrë, dhe nuk duhet lidhur kurrsesi me të qenit deputet. Unë nuk do jem deputet, por do t’i shërbej familjes politike. Është koha të bashkohemi për t’i shërbyer familjes sonë politike në këtë betejë”, shkroi Halimi në postimin e tij në “Facebook”.

Kreu i selisë blu është i bindur se bashkëpunimi midis Eduard Halimit si koordinator i posaçëm politik, Alfred Rushajt si drejtues që merret me çështjet ekonomike organizative të fushatës me drejtuesit politikë të 12 qarqeve, do t’i sigurojë PD-së maksimizim të votave.

SHKËPUTJA

Në shkurt të 2018, një vit pasi mori mandatin e deputetit, Halimi dha dorëheqjen nga mandati i deputetit për t’iu përkushtuar profesionit të tij të avokatisë. “Eduart Halimi vendosi sot të lërë mandatin e deputetit, të tërhiqet nga politika aktive për të ndjekur pasionin e tij, avokatinë.

Dëshira ime për ta pasur pjesë të ekipit, të Grupit Parlamentar të PD-së ishte e madhe, por po kështu edhe respekti për lirinë e çdokujt për të marrë vendimet e veta për të ardhmen e tij. Si një bashkëpunëtor i shkëlqyer, një jurist i mprehtë, Ed Halimi po largohet nga politika aktive pasi ka lënë gjurmët e veta në qeverisje me suksese të padiskutueshme në Ministrinë e Drejtësisë dhe në opozitë, po ashtu me ekspertizë të çmuar në të gjitha betejat tona për ligjshmëri, kushtetutshmëri, për luftë ndaj krimit e korrupsionit dhe përpjekjeve për zgjedhje të lira e të ndershme.

Shpreh falënderimet dhe mirënjohjen nga zemra për kontributin e tij të çmuar dhe bashkë me urimet e mia më të mira, edhe bindjen se me projektet e reja që ka, ai do të vazhdojë t’i shërbejë ligjit dhe vendit”, shkroi kryedemokrati Basha në 9 shkurt të 2018. I ardhur nga Shkolla e Magjistraturës, ku mban dhe titullin “Magjistrat”, dhe me përvojë në fushën e drejtësisë, Eduard Halimi ka mbajtur dy mandate deputeti në Kuvendin e Shqipërisë, nën siglën e PD-së, si dhe ka qenë nënkryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Shqipërisë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here