Ekzekutoi dy kushërinjtë në Laç, i riu rrezikon burg përjetë! Çfarë ndodhi në prill të vitit 2019, dy personat u vranë pas një konflikti

0
42

Prokuroria e Kurbinit ka dhënë pretencën për të pandehurin Markel Bushi, i cili në muajin prill të vitit 2019 akuzohet se ekzekutoi me armë zjarri në qytetin e Laçit dy kushërinjtë, Erion Jushi, 36 vjeç dhe Kelvin Jushi, 30 vjeç.

Organi i akuzës i ka kërkuar Gjykatës së Kurbinit dënimin me burgim me akuzën e “Vrasje me paramendim” dhe “Armëmbajtje pa leje” për 27-vjeçarin. Seanca gjyqësore është zhvilluar pa praninë e të afërmeve të të dyja palëve të përfshira në konflikt gjyqësor dhe hasmëri. Vetë personi i pandehur Markel Bushi ka pranuar autorësinë e krimit të vrasjes me armë të dy kushërinjve, ndërsa ka shfaqur pendesë. Në fjalën e tij para togave të zeza, 27-vjeçari ka thënë se ishte detyruar të qëllonte mbi kushërinjtë Jushi, pasi njëri prej këtyre të fundit kishte nxjerrë armën dhe do ta qëllonte.

Me këtë alibi personi i arrestuar dhe që rrezikon dënimin me burgim të përjetshëm, pretendon se krimin e ka kryer në kushtet e vetëmbrojtjes së nevojshme. Ndërkohë avokatët mbrojtës të të pandehurit kërkuan kohë që të përgatisin mbrojtjen e tyre dhe nisur nga kjo situatë, gjykata vendosi të shtyjë seancën për një datë tjetër. Krimi i rëndë ka ndodhur më 28 prill 2019, në Lagjen numër 1 të qytetit të Laçit dhe shumë pranë Komisariatit.

Dy kushërinjtë, Erion dhe Kelvin Jushi, u ekzekutuan me breshëri plumbash dhe gjithçka ndodhi pasi vëllai i Markelit, Manueli, është konfliktuar verbalisht me dy kushërinjtë Jushi në një lokal në qendër të Laçit. Pas debatit, në ndihmë të tij shkuan Vincesk dhe Markel Bushi, ku gjatë hetimeve është provuar se personi që ka qëlluar mbi dy kushërinjtë ka qenë pikërisht Markel Bushi. Ndërsa dy bashkëpunëtorët e tij në këtë krim, Manuel Bushi dhe Vincesk Bushi, janë hetuar dhe gjykuar veçmas, duke u dënuar për akuzën e “Moskallëzimit të krimit” dhe “Përkrahje e autorit të krimit”. Personat e përfshirë në këtë krim të dyfishtë u vunë në pranga nga Policia disa ditë pas ngjarjes, ndërsa Markel Bushi, i cili është vënën në akuzë si autor i vrasjes së dyfishtë, rezulton të jetë person me precedent të mëparshëm penal./E. H.© Panorama.al

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here