“Nuk ndodh në asnjë vend të botës të dënohesh pa…”/ Ish-anëtari i KPA: Është një puç! Do të bëj rekurs

0
47

Gjykata e Posaçme e Apelit Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka lënë në fuqi vendimin e dënimit me 6 muaj burg për ish-anëtarin e KPA-së, Luan Daci.

Ish-anëtari i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit u dënua për veprën penale “Falsifikim dokumentesh”, ndërsa vendimi për dënimin e tij me 6 muaj burg iu konvertua me “Shërbim Prove”. Seancën e zhvilluar ditën e djeshme në Apel, ishte i pranishëm edhe vetë Daci, i cili nuk ka nguruar të flasë edhe për mediat.

Ai është shprehur se vendimi i dhënë ndaj tij është i kundërligjshëm, ndërsa paralajmëroi se do të vazhdonte betejën në Gjykatën e Lartë. “Me urgjencë brenda dy ditësh do të bëj rekurs. Nuk ndodh në asnjë vend të botës të dënohesh pa vepër penale”, u shpreh Daci për mediat. Luan Daci u hetua nga SPAK-u pas denoncimit të kryer nga ishprokurori dhe ish-anëtari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Besnik Cani.

Një kallëzim i dytë për të njëjtën vepër penale u dorëzua ndaj tij ishprokurorja e Prokurorisë së Tiranës Antoneta Sevdari, ish-prokurori i Korçës, Elsion Sadiku, dhe ish-gjyqtari i Apelit Tiranë, Ervin Metalla. Prej korrikut 2020, ai është pezulluar nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit në pritje të vendimit të formës së prerë. Pas seancës vetë ish-gjyqtari Luan Daci ka sfiduar drejtësinë duke deklaruar se do të largohej nga KPA-ja, pasi kishte 100 vota nga Parlamenti.

DACI: ËSHTË NJË PUÇ

Anëtari i pezulluar i KPAsë, Luan Daci, u shpreh pas vendimit të Apelit se ky vendim është një “puç i mirorganizuar”, që sipas tij, do të dështojë. Ai u shpreh se do t’i bëjë urgjent rekurs këtij vendimi, ndërsa shtoi se nuk ndodh në asnjë vend të botës të dënohesh pa vepër penale.

“Brenda dy ditësh do të bëj rekurs, vendim haptas të ligjshëm. Nuk ndodh në asnjë vend të botës. Nuk largohem nga KPA-ja. Ligji le të thotë çfarë të dojë, kam 100 vota nga Parlamenti. Sot unë urgjent do të bëj rekurs deri nesër në drekë. Le të jetë vendim i formës së prerë, vendimi final i përket Gjykatës së Lartë. Ky është një puc i mirorganziuar, por do të dështojë. E drejta vonon, por nuk harron. Nuk ndodh në asnjë vend të botës të dënohesh pa vepër penale. Nëse nuk kryen një vepër të kundërligjshme, asnjëherë nuk ke faj, rrezikshmëri shoqërore. Në mënyrë absolute, të dyja vendimet do të prishen, janë të manipuluara”, u shpreh gjyqtari Daci pas seancës.

VENDIMI NË SHKALLË TË PARË

Gjatë shqyrtimit të këtij procesi, GJKKO-ja është shprehur në vendimin e saj në muajin dhjetor 2020, gjyqtari i Posaçëm Sandër Simoni arsyetoi se kërkesa për aplikim për një pozicion në institucionet e vetingut nga Daci ka pasqyruar një të dhënë jo të vërtetë, pasi ka fshehur faktin e marrjes së masës disiplinore të shkarkimit nga ana e ishKëshillit të Lartë të Drejtësisë në vitin 1997.

“Duke analizuar provat, Gjykata vlerëson se Luan Daci në kërkesën e tij drejtuar Avokatit të Popullit ka paraqitur rrethanë të rreme duke fshehur masën disiplinore të marrë ndaj tij”, tha gjyqtari Simoni.© Panorama.al

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here