Regjistrohet dita me më pak viktima nga COVID-19 në Shqipëri në tre muajt e fundit

0
447

21.03.2021 • 17:39

Katër pacientë të tjerë me COVID-19 humbën jetën 24 orët e fundit në Shqipëri, ndërsa 659 persona u diagnostikuan si të infektuar duke e çuar bilancin e pandemisë në 121,200 raste dhe 2,137 viktima.

Ministria e Shëndetësisë tha se viktimat ishin të moshave 62-89 vjeç, nga Tirana (3) dhe Tepelena. Aktualisht në spitalet COVID në Tiranë dhe tre spitalet rajonale po trajtohen 392 pacientë, 25 në terapi intensive, nga të cilët 9 pacientë janë të intubuar.

Kjo është dita me më pak viktima që prej 20 janarit, ku gjithashtu qe raportuar për 4 humbje jetësh ndër pacientët me COVID-19 shtruar në spitalet publike. Megjithatë vlen të theksohet se muaji mars mbetet i vështirë për pandeminë.

Nga 1 marsi kanë humbur jetën 321 persona – me një mesatare prej të paktën 15 vdekjesh në ditë. Muaji shkurt, që ishte dhe me numrin më të lartë të viktimave gjatë pandemisë në Shqipëri, regjistroi 403 humbje jetësh – me një mesatare prej të paktën 14 vdekjesh në ditë.

Gjatë 24 orëve ministria tha se ishin kryer 3,487 testime, nga të cilat 659 persona rezultuan të prekur nga COVID-19 – pozitiviteti 18.8%.

Prej 11 janarit në Shqipëri ka nisur procesi i vaksinimit, ku në total janë kryer 46,515 injeksione – 1,685 vetëm sot, – kryesisht të personelit shëndetësor, të meshuarve dhe mësuesve. Në njoftimin e saj ministria nuk saktëson sa persona kanë marrë dozat e plota – dy injeksione – dhe sa vetëm një.

Në 24 orët e fundit janë shëruar 522 qytetarë, duke e çuar numrin e të shëruarve në 85,147 që nga fillimi i epidemisë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here