EKSKLUZIVE/ Vllazninë e minojnë 33 vota nga Këshilli Bashkiak, Voltana Ademi: Zhgënjim total, ky vendim nuk mund të…

0
115

Kryetarja e Bashkisë Shkodër, Voltana Ademi, mbeti shumë e zhgënjyer pas vendimit të Këshillit Bashkiak për çështjen e Vllaznisë. Në një prononcim ekskluziv për “Panorama Sport”, Ademi theksoi se nuk e koncepton dot këtë vendimmarrje në dëm të klubit.

“Bashkia Shkodër mbylli bilancin e vitit 2020 dhe nga fondet e papërdorura propozuam përdorimin e tyre me destinacion likuidimin e detyrimeve tatimore të trashëguara të KF Vllaznia sh.a. Fondi prej 82.063.363 lekësh mbulon 20% të detyrimit, si një kusht i vendosur nga Drejtoria e Tatimeve për lidhjen e aktmarrëveshjes dhe këstet për muajt në vijim.

Kemi më shumë se një javë që diskutojmë me Drejtorinë e Tatimeve, në nivel teknik dhe drejtues. Kur ka zgjidhje teknike, unë as që arrij ta konceptoj e imagjinoj këtë vendimmarrje. Kjo duhej të trajtohej si një arritje jo e vogël, në zbatim të ligjit e vullnetit pozitiv të shprehur të tifozërisë për ta financuar e bërë këtë marrëveshje.

Projektvendimi për likuidimin e sigurimeve shoqërore dhe tatimeve nuk u fut fare për diskutim në mbledhje, duke lënë një shije të rëndë për të gjithë ne, por sidomos për ata mijëra qytetarë, tifozë të Vllaznisë, të cilët me gjasë, pas paraqitjeve dinjitoze të këtij sezoni, janë edhe më të shumtë. Qasja e Këshillit Bashkiak shkon në dëm të KF Vllaznia sh.a. dhe tifozëve që jetojnë çdo ditë me ngjyrat kuqeblu.

Kemi lënë pa bërë investime në rrugë vetëm për të zgjidhur këtë problem të Vllaznisë, duke marrë pëlqimin për ta sjellë në Këshillin Bashkiak këtë çështje. Ajo që unë mund të them në këto momente është se do të bëjmë të gjitha përpjekjet, pavarësisht sa sfilitëse janë, duke bashkëpunuar me qytetarët e faktorë të tjerë që kanë shprehur vullnetin për të na ndihmuar”, deklaroi dje Ademi.

PANORAMASPORT.AL

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here